Secondary Adv

Ndërtimet pa leje, 60 ditë afat për vetëdeklarim ose ose kalojnë në konfiskim

Qytetarët që kanë ndërtime pa leje, të konstatuara nga bashkitë apo institucione të tjera administrative, do të kenë 60 ditë afat për t'i vetëdeklaruar, me qëllim përfitimin nga mundësia e parablerjes.

Në të kundërt, pasuritë do t'u nënshtrohen procedurave të konfiskimit dhe administrimit nga shteti, sipas ndryshimeve të parashikuara në kuadrin e ri ligjor.


Detajet u bënë të ditura gjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar për Mjetet e Informimit Publik, ku kryeadministratorja e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, prezantoi risitë që pritet të sjellin ndryshimet ligjore.


Sipas shpjegimeve të dhëna në komision, afati 60-ditor do të nisë pas miratimit të ligjit të ri dhe synon t'u japë mundësi personave që kanë realizuar ndërtime pa leje të deklarojnë pasuritë dhe të përfshihen në procedurat përkatëse të parablerjes.


Nëse ndërtimi është konstatuar nga bashkia apo një institucion tjetër administrativ dhe nuk vetëdeklarohet brenda afatit të përcaktuar, ai do t'i nënshtrohet procedurës së konfiskimit.


Xhaja sqaroi se, në zbatimin e mekanizmit të ri, fillimisht do të trajtohen procedurat e parablerjes dhe më pas do të vijohet me administrimin e pasurive sipas rregullave të reja.


Agjencia merr kompetenca edhe për ndërtimet e konfiskuara nga bashkitë

Ndryshimet ligjore parashikojnë zgjerimin e fushës së veprimit të AAPSK-së edhe mbi pasuritë e konfiskuara nga pushteti vendor, ku një pjesë e konsiderueshme pritet të përbëhet nga ndërtimet pa leje.


Kjo do të thotë se, pas konfiskimit, këto pasuri nuk do të mbeten vetëm nën përgjegjësinë e institucioneve vendore, por do të mund të kalojnë në administrimin e AAPSK-së. Mekanizmi i ri krijon mundësi për përdorimin, dhënien në administrim apo shitjen e tyre, në përputhje me përcaktimet ligjore.


Një tjetër risi është krijimi i një fondi të posaçëm për administrimin e ndërtimeve pa leje. Sipas Xhajës, ky fond do të financohet nga të ardhurat që gjenerohen përmes administrimit të pasurive të konfiskuara.


Synimi është që të ardhurat e krijuara nga këto pasuri të përdoren për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e tyre, ndërsa kuadri ligjor parashikon edhe mundësinë që një pjesë e objekteve të vihen në funksion të komunitetit.


Pasuritë që nuk përdoren nga shteti mund të shiten në ankand

Gjatë diskutimeve në komision u trajtua edhe mekanizmi i shitjes përmes ankandit. Sipas propozimeve, pasuritë që nuk përdoren nga AAPSK-ja ose nuk destinohen për funksione të tjera publike do të mund të nxirren në shitje, duke u dhënë mundësi individëve dhe subjekteve private t'i blejnë përmes procedurave të përcaktuara me ligj.


Drejtuesja e AAPSK-së dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme argumentuan se ndryshimet synojnë të shmangin mbajtjen për periudha të gjata të pasurive të konfiskuara pa përdorim, çka mund të sjellë humbjen e vlerës së tyre.


Modeli i propozuar parashikon një proces me disa faza, duke nisur me mundësinë e parablerjes për subjektet që vetëdeklarojnë ndërtimet brenda afatit 60-ditor. Në rastet kur nuk plotësohen kushtet, do të ndiqen procedurat e konfiskimit dhe administrimit, ndërsa për pasuritë që nuk përdoren nga shteti parashikohet mundësia e shitjes në ankand.


Zgjerimi i kompetencave të AAPSK-së pritet të rrisë ndjeshëm numrin e pasurive që do të administrohen nga Agjencia. Për këtë arsye, fondi i posaçëm synon të sigurojë burime financiare për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e ndërtimeve të konfiskuara, deri në përcaktimin e destinacionit të tyre përfundimtar.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat